Shtyhen tri ndeshje të Serisë A shkaku i shpërndarjes së koronavirusit


Gazeta Express
23 Shkurt 2020 0:06

Në një ngjarje të paprecedent, kryeministri italian Giuseppe Conte ka bërë të ditur se të gjitha ngjarjet sportive në zonën e Lombardisë dhe Venetos janë suspenduar, për shkak të shpërndarjes së koronavirusit.

Në këtë vendim të kryeministrit italian përfshihen edhe tri ndeshje e nesërme të Serisë A: Verona vs Cagliari, Atalanta vs Sassuolo dhe Inter vs Sampdoria, transmeton Gazeta Express.

Ndeshjet nuk janë suspenduar ende formalisht, pasi që këtë pritet ta lajmërojë edhe Federata, megjithatë kjo lihet të kuptohet se do të ndodhë së shpejti.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri italian Conte, i cili e mbajti një konferencë për shtyp në orët e vona të së shtunës.

“Ministri i Sportit Spadafora synon t’i suspendojë të gjitha ngjarjet sportive që ishin planifikuar të zhvillohen të dielën në regjionet e Lombardisë dhe Venetos”.

Më herët veçse ishte bërë e ditur se 42 ndeshje në ligat e të rinjve dhe amatore ishin shtyrë, përderisa të njëjtin fat e kishte pasur edhe përballja e Serisë B mes Ascolit dhe Cremoneses.

Të dyja regjionet do të mbahen në karantinë, pasi që edhe shkollat dhe zyrat janë mbyllur, shkaku i rritjes së shpejtë të rasteve me koronavirus.

Në Itali tashmë kanë vdekur dy persona shkaku i koronavirusit, ndërsa edhe 79 persona të tjerë janë diagnostikuar me këtë sëmundje ngjitëse dhe potencialisht vdekjeprurëse.

47 raste janë identifikuar në Lombardi, 17 në Veneto, dy në Emilia-Romagna, dy turistë kinezë në Lazio dhe një në Piedmont. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart