Historia e gjuajtjeve me vezë, e nisi Vetëvendosja kundër Isa Mustafës


Gazeta Express
22 Shkurt 2020 21:21

Sot cak i gjuajtjeve me vezë ishte zëvendëskryeministri Avdullah Hoti nga persona që janë kundër heqjes së taksës.

Por, kur nisën vezët të përdoren për aksione ndaj kundërshtarëve politikë?

Derisa ish-kryeministri Isa Mustafa po shpjegonte në Kuvend se çfarë marrëveshje kishte arritur me Serbinë, dikush e ndali duke e sulmuar me vezë.

Në këtë mënyrë në shtator të vitit 2015 Vetëvendosje kishte gjetur një mënyrë të re për të kundërshtuar veprimet politike të pozitës.

Në tetor Mustafa u sulmua sërish gjatë një fjalimi në Podujevë. Një fotografi me ministrin e Jashtëm serb i kishte kushtuar edhe ish-zëvendësministrit të Jashtëm kosovar Petrit Selimit. Për këtë veprim Vetëvendosje e gjuajti Selimin me vezë.

Shënjestra e radhës ishte Bajram Gecaj. Duket që gjatë tetorit të 2015 Vetëvendosje kishte blerë vezë boll. Disa sosh u tepruan edhe për nëntor të të njëjtit vit.

Caku i 6 nëntorit ishte ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi për tu pasuar nga bashkëpartiaku i tij, Blerand Stavileci.

E më vonë nga PDK edhe Memli Krasniqi.

Partia e Albin Kurtit kishte pasur një aktivitet të ngjeshur me vezë për gjatë gjithë vitit 2015. Me këto produkte të pulës Kurtit i ra hise të merret sërish më 2016 veçse kësaj radhe ishte ky i sulmuari.

Sulmuesi i kreut të LVV’së u shoqërua në polici por jo edhe ai i kreut të kësaj lëvizje në Mitrovicë, Faruk Mujkës, ndaj të cilit dikush hodhi vezë derisa ky po hynte në Kuvendin Komunal.

Fat të ngjashëm pati edhe Fisnik Ismajili në nëntor të vitit 2018.

Vezët filluan të përdoren përsëri si mjet kundërshtimi, tani kundër idesë së heqjes së tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe të cilën e synon koalicioni qeverisës VV-LDK.

Te fundit


Kthehu lart