Demokratët në Nevada votojnë të zgjedhin kandidatin për president, Sanders favorit


Gazeta Express
22 Shkurt 2020 22:58

Demokratët në shtetin perëndimor të vendit Nevada votojnë të shtunën për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar në radhët e partisë, që do të garojë në zgjedhjet e nëntorit përballë presidentit republikan Donald Trump.

Zgjedhjet në Nevada janë tretat brenda demokratëve pas atyre në Ajoa dhe në Nju Hempshër. Në dallim nga dy shtetet pararendëse me popullsi dërrmuese të bardhë, Nevada është një shtet i larmishëm, ku pothuaj gjysma e popullsisë është e bardhë, ndërsa pjesa tjetër rreth 30 për qind janë hispanike, 10 për qind afrikano-amerikanë e 10 për qind aziatike.

Zyrtarët e Partisë Demokrate në Nevada shpresojnë të shmangin problemet që u hasën në procesin zgjedhor në Ajoa në fillim të këtij muaji, ku sistemi i numërimit të vota prodhoi rezultate jo të besueshme. Ata hoqën dorë nga planet për të përdorur të njëjtin program kompiuterik që u përdor në Ajoa dhe do të përdorin një sistem që sipas tyre do të eleminojë gabimet njerëzore.

Sipas sondazheve të fundit nga shtatë kandidatë në garë, senatori Bernie Sanders duket të jetë favorit për të fituar në Nevada, pas fitores së votës popullore në Ajoa dhe Nju Hempshër. Pete Buttigieg gjithashtu shihet në sondazhe si kandidat kryesor në Nevada pas një paraqitjeje të fortë në Ajoa dhe Nju Hempshër.

Një sondazh i ri i “Wall Street Journal” dhe “NBC News” e tregon zotin Sanders si kandidatin kryesor në të gjithë vendin, me gjasë që të paktën në katër shtete të renditet në vendin e dytë si pasojë e reduktimit të mbështetjes së Joe Bidenit dhe rritjes së ish-kryetarit të bashkisë së New York-ut Michael Bloomberg, i cili nuk merr pjesë në procesin zgjedhor në Nevada. /voa

Te fundit


Kthehu lart